Ishulli 10, Sergio Bitar

Me një stil impresiv prej narratori të rryer, politikani kilian Sergio Bitar na dhuron shembullin se si duhet shkruar kujtime që e bëjnë historinë. 

Abonohu për Lexim Online Porosite me Postë

Mbi librin

Është kronika njëvjeçare e jetës së rëndë së cilës iu nënshtruan figurat më eminente të Kilit, pas grusht shtetit ushtarak që solli në pushtet juntën e udhëhequr nga famëkeqi Pinoçe.
Është rrëfimi për përtëritjen e kampeve të përqendrimit katërdhjetë vjet pas atyre naziste dhe për forcën dhe pushtetin që njeriut ia jep uniforma dhe arma.

Fragment nga libri

Më 11 shtator 1973, rreth orës tetë të mëngjesit, më thirri në telefon një koleg partie. Më tregonte me shumë nervozizëm se numri i ushtarëve që po vendosej në qendër ishte i madh: po i rrethonin rrugët anësore. Më thoshte që të mos shkoja atje assesi. Për aq sa mund të vërente, lëvizja e tillë po konfirmonte se bëhej fjalë për grusht shtet kundër Qeverisë. Brenda pak çastesh u binda për atë që me muaj dyshonim se mund të ndodhte.

Ishte shumë vështirë të reagoja në ato çaste. Dukeshin ngjarje që u iknin çfarëdo mundësie që të shndërroheshin në realitet. Ishim mësuar – sikur ta ruanim një mit – të besonim se në Kili kurrë nuk do të mund të ndodhnin gjëra të kësaj natyre. Ishim të bindur se shteti ynë ishte imun ndaj grusht shteteve të tilla gjakderdhëse, sikurse ky që po e mbërrinte kulmin. Ekzistonte siguria se institucionet demokratike ishin aq fleksibile sa për t’i zgjidhur kontestet nëpërmjet instancave publike ekzistuese. Megjithatë, e gjithë ajo mitologji e cila na i kishte absorbuar jetët, mënyrën tonë të të menduarit, analizat tona politike, tash po binte përtokë. Edhe njëherë po vërtetohej se nëse tensionet sociale dhe lufta për ta transformuar shoqërinë i mbërrinin nivelet që i kishte arritur Kili, ishte e pamundur t’i shmangeshe problemit kryesor të pushtetit, e që në këtë moment ishte problemi ushtarak.

Prandaj edhe atë mëngjes reagova i hutuar. Nuk dija se si të sillesha. I mbaja në mend ngjarjet e 29 qershorit , kur kishte ndodhur diçka e ngjashme në orët e hershme të mëngjesit. Ajo tentativë e grusht shtetit ishte neutralizuar nga vetë ushtarakët.

Më 11 shtator kisha paraparë të mbaja mbledhje në Korporatën për Zhvillim (Corporación de Fomento). Impulsi im i parë ishte të shkoja në qendër dhe të vazhdoja me aktivitetet e mia, duke i dhënë vetes shpresën se edhe ky do të ishte një grusht shtet i dështuar. Sidoqoftë, me ta ndezur radion, e kuptova dimensionin e ngjarjes: shumë nga radio stacionet tashmë nuk kishin program, përderisa të tjerat – më duket ishte radio Magallanes (Magalanes) – po informonte e pashpresë se qendra po bombardohej nga aeroplanët, prandaj kjo ishte porosia e fundit, përpjekja e fundit për të komunikuar me ndonjë zyrtar Qeverie. Njëkohësisht, nisa të dëgjoja klithmat e para të euforisë në rrugët e lagjes sime. Njerëz të klasës së mesme të lartë që festonin rënien e Qeverisë dhe me gëzim kishin nisur të mblidheshin. Parandjeva se në raste të këtilla, mungesa e kontrollit dhe pasioni mund të marrin përmasa dramatike, posaçërisht ndaj pjesëtarëve të regjimit të rrëzuar, prandaj edhe nisa të brengosesha për fëmijët. Reagimi im i parë ishte t’i nxirrja prej shtëpisë për t’i shpënë tjetërkund.
 

Mbi autorin