Bijtë e nënës, Gani Demolli

Nën përkujdesjen dhe përcjellë me komentet e dr. Gani Demollit, lexoni se si lindi shërbimi më unikal shëndetësor, i cili mundësoi mbijetesën e popullatës civile kosovare në kohët e represionit më të ashpër dhe të luftës.

Kuptoni, nëpërmjet raporteve të atyre pak mediumeve të shkruara të Kosovës të viteve ’90-a, se sa e vështirë ishte lufta e këtyre mantelbardhëve për t’i dhënë shpresë popullit.

Abonohu për Lexim Online Porosite me Postë

Mbi librin

Pas aksionit gjithëpopullor për pajtimin e gjaqeve, pas grevës së minatorëve dhe pluralizmit në Kosovë, isha i bindur se në shoqatën humanitare bamirëse “Nëna Terezë” ka vend dhe do të anëtarësohen vetëm njerëz të sinqertë, të ndershëm dhe humanë.

Ftesën për të marrë pjesë në Kuvendin themelues (më 4 dhjetor 1990) të Degës së parë të SHHB “Nëna Terezë” në Kodrën e Trimave në Prishtinë e pranova me kënaqësi. Atmosfera festive dhe pjesëmarrja e madhe e banorëve që ishin tubuar në sallën e edukatës fizike të shkollës fillore “Zenel Hajdini” ishin impresive. Me të përfunduar punimet Kuvendi, anëtarët e Kryesisë së porsazgjedhur u tërhoqën në një klasë për të zgjedhur kryetarin dhe organet e tjera të Degës.

Kandidati i parë të cilin e propozuam për kryetar të Kryesisë refuzoi me arsyetimin “i kam tre fëmijë”, kurse me të njëjtin arsyetim kandidaturën e refuzoi edhe kandidati i dytë. Pas këtij refuzimi, në këmbë u ngrit prof. Ramiz Kukleci, anëtari ma i vjetër i Kryesisë, një njeri i mrekullueshëm, i cili duke ma shtrirë dorën, më luti që të ngrihesha në këmbë. Frikohesha se nuk do të mund t’i përmbushja obligimet që dilnin nga ky funksion. “A e di ti se sa gjaqet iu kanë falë kësaj dore?”,- m’u drejtua ai. U ngrita në këmbë dhe ia shtriva dorën.

Duartrokitjet spontane nga pjesëmarrësit verifikuan zgjedhjen time për kryetar të Degës. I zgjodhëm komisionet dhe grupet punuese për identifikimin e më të varfërve ndër më të varfrit. Tri lokalet e ofruara falas për depo, nga bamirësit zemërgjerë, u mbushen me të mira materiale që në atë kohë vinin kryesisht prej shqiptarëve të Maqedonisë dhe të Luginës së Preshevës.

Rrethanat na e imponuan nevojën për hapjen e një ambulance humanitare. Për këtë dedikim, banorët e Vranjevcit i ofruan falas tri objekte private. U përcaktuam për shtëpinë e Shaban Svircës në rr. “Drenica” nr. 17. Me të përfunduar punët teknike që i kryen veprimtarët e lagjes, më 30 mars 1992, pa leje pune për veprimtari shëndetësore dhe pa i përfillur organet dhunshëm të instaluara, ia filluam punës në ambulancën e parë humanitare në Kosovë. E emërtuam “Poliklinika Nëna“.

Fragment nga libri

Mbi autorin